Tel: Urgjenca
055-24-2828

Ne dhurojmë gjak, dhe shpëtojmë JETË. Po ju?

Pse duhet të dhurojmë gjak ?

Të dhurosh gjak do të thotë të japësh shpresë, të shpëtosh jetë ! Nëse secili do të pyesë veten se cfarë po bën duke dhuruar gjak, do të kishte një përgjigje pa ekuivok :“Bëj atë që do të dëshiroja ta bënin të tjerët nëse vetë do të kisha nevojë për gjak”.

Gjaku është jetik. Gjaku nuk mjafton kurrë. Ai kërkohet në cdo kohë për përdorim të menjëhershëm.

-Në vendin tonë nevojat për gjak janë rreth 30.000 njësi gjak ndërkohë që mblidhen rreth 20.000 njësi.
-Janë rreth 300 pacientë me talasemi që marrin gjak çdo muaj, pa llogaritur të aksidentuarit që kanë nevojë urgjente për gjak apo pacientët që kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.

Një ditë mund të kemi të gjithë nevojë për gjak. Në cdo rast emergjence duhet të ketë gjak, asnjë lloj mjekimi nuk mund të zëvëndësojë transfuzionin e gjakut , kur ai është i nevojshëm. Gjaku për transfuzion merret vetëm nga njeriu. Ai nuk mund të prodhohet artificialisht.

Bëj dhuratën që nuk kushton asgjë . Dhuro gjak !

Parimi bazë i shëndetësisë është "Mos dëmto!".
Së pari , gjaku duhet të ketë grup të pranueshëm e të pajtueshëm me atë të marrësit. 
Së dyti, me anë të gjakut të transfuzuar, nuk duhet që i sëmuri të marrë sëmundje të rrezikshme që transmetohen me anë të gjakut sic janë SIDA, Hepatiti ose Verdhëza, Sifilizi etj. Për këtë qëllim gjaku i nënshtrohet disa analizave për të mënjanuar çdo mundësi të transmetimit të këtyre sëmundjeve .Por këto sëmundje kanë një periudhë inkubacioni ose të fshehtë, me gjatësi të ndryshme . Në këtë periudhë, nëse dhurohet gjak, nuk mund të dali në analizë lloji i virusit apo të rezultojë që ky gjak është i sigurtë apo i infektuar . Për shembull, SIDA periudhën e fshehtë apo periudhën "dritare", e ka një muaj. Në këtë periudhë nuk mund të identifikohet virusi i SIDA-s. Kjo është aresyeja që promovohet dhurimi vullnetar i gjakut sepse i vetmi motiv që kanë dhuruesit është humanizmi dhe jo ndonjë interes i çfarëdolloji qoftë.

Gjaku më i sigurtë për transfusion është gjaku i dhuruar vullnetarisht dhe falas.

Gjaku, lëngu i jetës

Gjaku përbën 7-8% të peshës së trupit. Në organizmin e njeriut të rritur ka gjithsej 5-6 litra gjak. Rreth 40-50% e gjakut perbëhet nga rruazat e kuqe që janë mbartës të oksigjenit. Pjesa që ngelet (55%-60%), është plazma që përmban një pjesë të vogël rruazash të bardha, faktorët e koagulimit dhe trombocitet. 
Rruazat e kuqe të gjakut prodhohen në palcën e kuqe të kockës e dalin në qarkullim ku qëndrojnë 120 ditë, pastaj shkatërrohen kryesisht në shpretkë dhe zëvëndësohen me eritrocite të reja që prodhohen.
Rruazat e bardha luajnë rol mbrojtës. 
Pllakëzat e gjakut luajnë rol në mpiksjen e gjakut e në ndalimin e rrjedhjes së gjakut.
Të gjithë komponentet e gjakut mund të përdoren dhe secili prej tyre luan një rol të rendësishëm në shpëtimin e jetës së individëve.

Grupet e Gjakut
Prania në siperfaqe te eritrociteve të një substance e quajtur antigen, bën që njerëzit të kenë grupe të ndryshme gjaku. Dy janë sistemet kryesore të grupeve të gjakut : Sistemi A, B, O dhe sistemi Rhezus. Në sistemin A, B, O dallohen katër grupe:grupi Zero (0), grupi A, grupi B dhe grupi AB:
1. Grup A i gjakut ka vetëm antigenin A,
2. Grup B ka vetëm antigenin B,
3. Grup AB i ka të dyja,
4. Grup 0 nuk ka asnjë.

Ju nuk mund t’i dhuroni gjak dikujt në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe nuk mund të merrni gjak nga i njëjti grup, pa u kontrolluar ai.

Grupi 0 është grup universal dhe mund t’i dhurojë gjak çdokujt.
Grupi A mund t’i dhurojë gjak grupit A dhe AB.
Grupi B mund t’i dhurojë gjak grupit B dhe AB. 
Grupi AB mund t’i dhurojë gjak vetëm grupit AB, por mund të marrë gjak nga grupet e tjera.

Në sistemin Rhezus dallohen dy grupe gjaku : Rhezus pozitiv (+ ) nëse antigeni “D” është i pranishëm dhe Rhezus negativ ( – ) nese antigeni “D” mungon. Çdo njeri që ka një prej grupeve të gjakut në sistemin A, B, O është ose Rh (+) pozitiv ose Rh  (–) negativ.

Në popullsinë shqiptare grupet e gjakut ndodhen në përqindjet e mëposhtëme:

Grupi 0 - 40.1%; Grupi A - 36.7 % ; Grupi B - 17.1% ; dhe Grupi AB - 6.1%. Personat Rhezus pozitiv perbëjnë 85% të popullsisë, ndërsa 15% e popullsisë, janë Rhezus negativ.

Trashëgimia e grupeve të gjakut:

Grupet e gjakut trashëgohen. Ashtu si ngjyra e syve, edhe grupet e gjakut trashëgohen nga prindërit te fëmijët. Nëse gjaku juaj është grup A, B, AB ose 0, ai është sipas grupit të gjakut të nënës ose të babait. Sistemi ABO i gjakut nuk mjafton për të provuar ose jo atësinë ose amësinë. 

Transfuzion i gjakut bëhet:

- Në rastet kur ka humbje të konsiderueshme gjaku si në hemorragji nga sëmundjet, lindje, aksidente etj.
- Në sëmundje të ndryshme gjaku si talasemia, hemofilia, leucemia, por edhe në semundje të tjera që rrezikojnë jetën si kanceri etj.
- Në operacione kirurgjikale dhe në djegiet me sipërfaqe të mëdha

Përshtatshmëria për dhurim 

Kush mund të dhurojë gjak ? 
- Gjithkush që gëzon shëndet të mirë, i cili është i pranuar nga mjeku i bankës së gjakut
- Personat me moshë 18-60 vjec dhe 17 vjeç me lejen e prindit.
- Personat me peshë trupore mbi 50 kilogramë.

Sa shpesh mund të jepet gjak ?
Koha ndërmjet dy dhurimeve është të paktën 8 javë. Meshkujt mund të dhurojnë një herë në 3 muaj, ndërsa femrat një herë në 4 muaj.

Cilët persona përjashtohen përkohësisht nga dhurimi i gjakut ?

-Personat që i janë nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale nuk mund të japin për 1 vit.
-Personat që përdorin ilaçe me kohëzgjatje të ndryshme, që kanë bërë vaksina, të sëmurë me alergji, sëmundje akute, grip etj.
-Gratë shtatëzëna deri në një vit mbas lindjes.
-Femrat gjatë ciklit menstrual.
-Personat që kanë bërë akupunkturë, tatuazhe , « piercing » nëse nuk janë realizuar në kushte higjienike. 
-Personat që kryejnë marrëdhënie seksuale të rastësishme.

Cilët persona nuk mund të dhurojnë gjak përgjithmonë:

- Personat jashtë kufirit të moshës 18-60 vjec.
- Alkolistët , të droguarit dhe personat që kanë sjellje seksuale me rrezik të lartë infektimi.
-Të sëmurët me anemi, sifiliz, SIDA, TBC, Hepatit C,B (verdhez) , epilepsi, sëmundje zemre, tumore malinje, sëmundje autoimune, diabet i varur nga insulina.

Dhurimi i gjakut është një akt i thjeshtë personal, i pa dhimbshëm, por me vlera të mëdha humane dhe civile.

Cfarë duhet ditur përpara dhurimit të gjakut 
- Dhurimi nuk dëmton shëndetin dhe nuk krijon varësi.
- Kryhet në kushte sterile, aget janë me një përdorim.
- Të dhënat që jepen për gjëndjen shëndetësore dhe analizat janë konfidenciale, konsiderohen fshehtësi profesionale.
- Organizmi ynë ka 5-6 litra gjak. Sasia që dhurohet është rreth 400-450 ml, një sasi e papërfillshme për një organizëm të shëndoshë.
- Gjaku zëvëndësohet shpejt, vëllimi, rruazat e bardha dhe trombocitet brenda 24 orëve, ndërsa rruazat e kuqe mbas dy javësh.
- Mos pini duhan ose pije alkolike përpara dhurimit.
- Dhurimi i gjakut zgjat 10 minuta.
- Frika që jo rrallë njerëzit kanë për dhimbjen që mund të shkaktojë dhurimi i gjakut, është e pabazë. Dhimbja nga futja e një gjilpëre në venën e gropës së brrylit është e papërfillshme.

Proçedura e dhurimit të gjakut zgjat 20 minuta:
1. Plotësimi i një pyetësori (5 minuta) me disa të dhëna të thjeshta.
2. Kontrolli mjekësor, matet tensioni arterial, temperatura, niveli i hemoglobinës etj ,për t’u siguruar nëse jeni në gjendje të mirë shëndetësore në momentin e dhurimit (8 minuta).
3. Dhënia e gjakut nëse mjeku e vendos këtë (7 minuta).

Pra « 20 minuta" për të qenë hero!

Pas dhurimit të gjakut kryhen këto analiza : 
- Grupi i gjakut dhe Rrhezusi i tij;
- Trigliceridet;
- Kolesteroli;
- Glicemia;
- Gjithashtu gjaku kontrollohet për praninë e SIDA-s, hepatit B dhe C , sifilizit.

Pas dhurimit të gjakut qëndrohet 20 minuta me qëllim që trupi t`i përshtatet humbjes së gjakut, ndërkaq duhet të merret një lëng frutash, kek ose kafe e më pas të largoheni me miratimin e mjekut të bankës së gjakut. Më pas ju mund të vazhdoni aktivitetin normal.

Kujdes !

- Gjatë gjithë kohës duhet të merren lëngje më shumë se zakonisht e të merret ushqim normal. 
- Të mos përdoren pije alkoolike.
- Të mos pihet duhan të paktën 3 orë mbas dhurimit.
- Nuk duhet të hiqet ankerplasti nga krahu për 2-3 orë.
- Të evitohet ngritja e peshave ose çantave të rënda për 2-3 orë mbasi mund të shkaktohet ndonjëherë rrjedhje gjaku. Nëse ndodh, atëhere dora duhet ngritur lart mbi kokë e duhet të shtypet zona për 4 minuta me një shami ose garzë.
- Ditën e dhurimit të mos ngitet makina rreth 2-3 orë. 
- Dhurimi i gjakut nuk e dëmton një organizëm të shëndoshë. Shumë dhurues gjaku thonë që ndjehen më mirë pas dhurimit të gjakut. Nëse ka ndonjë shqetësim, kontaktoni me mjekun e bankës së gjakut.

Çfarë duhet të dini më shumë?
-Një qese gjak mund të shpëtoj tri jetë nëpërmjet ndarjes së tij në komponentë dhe produkte të tij.
-Dhurimi i gjakut rregullisht bën mirë për shëndetin. Një nga përfitimet që ka dhuruesi i rregullt i gjakut konsiderohet ndikimi lehtësues në sëmundjet e arterieve koronare. Gjithashtu dhurimi rregullisht i gjakut është trajtimi kryesor, jete shpëtues i të sëmurëve me hemokromatoz të lindur si dhe policitemi.
-Analizat mbas dhurimit kanë një kosto të lartë.
-Çdo dhurues gëzon një ditë pushim mbas dhurimit të gjakut (sipas ligjit nr.9739 datë 21.5.2007)

Informacion për bankat e gjakut

Në Tiranë dhurimi i gjakut bëhet në QKTGJ në Laprakë, QSUT, bankat e gjakut të maternitetit 1 dhe 2. Në rrethe bëhet në bankat e gjakut në spitale.

Gjaku juaj zëvëndësohet shpejt, por jeta Jo! Rregjistrohuni tani !

Informacion mbi dhurimin e gjakut në Europë: 
- Në 46 vende të rajonit, dhurimi vullnetar e falas i gjakut është raportuar si një nga burimet kryesore për furnizimin me gjak të sigurtë për transfuzion.
- Mbështetur në raportin e fundit të Organizatës Botërore të Shëndetit të rajonit të Europës, numri i dhuruesve varion nga më pak se 4.5 në 1000 banorë deri në 45 e më shumë në 1000 banorë.
- Gjaku i dhuruar ka jetëgjatësi të shkurtër, kështu që dhuruesit e rregullt janë baza e një furnizimi të vazhdueshëm me gjak të sigurtë për plotësimin e nevojave.
- Mbështetur në jetë gjatësinë e shkurtër të përbërësve të gjakut dhe në moshën e popullatës, limiti standard për të dhuruar gjak janë 18-65 vjeç. Në disa vende të Europës ky limit shkon nga 17-70 vjec. Në vënde të tjera jashtë Europës, kufiri limit i dhurimit varion nga 15 vjeç (me lejen e prindit) deri në 70 vjeç.
- Dhuruesit e rregullt dhurojnë rregullisht, të paktën dy herë në vit. Ato janë burim i gjakut të sigurtë. Duke dhuruar gjak ato kontrollojnë rregullisht shëndetin e tyre si dhe ndjekin një mënyrë të shëndetëshme të të jetuarit.
- Prevalenca e markerave infektive në popullsinë dhuruese mund të variojë nga 0.001 deri ne 7.5 % lidhur me tipin e dhuruesve të gjakut. Nëse gjaku rezulton i infektuar p.sh me hepatit B, C ose HIV, dhuruesi përjashtohet dhe gjaku nuk përdoret për transfuzion.
-Rekordin botëror për dhurim gjaku e ka shënuar Maurice Wood nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës i cili në vitin 2004, dhuroi të 300-ën qese me gjak.

Quality

top